Studimi për sjelljet e lidhura me shëndetin e fëmijëve në moshën shkollore (HBSC) është studim ndërkombëtar dhe longitudinal, i cili kryhet çdo katër vjet, në bashkëpunim me Zyrën Rajonale për Evropën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, studimin e zbaton Qendra për Veprim Psiko-Social dhe të Krizës – Malinska, me miratim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Byrosë për zhvillim të arsimit së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara - UNFPA. Hulumtimi kryhet me një mostër përfaqësuese kombëtare, në shkolla me mësim në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Gjetjet e hulumtimit janë të disponueshme për përdorim në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, për të mundësuar kuptim më të mirë të shëndetit dhe mirëqenies së adoleshentëve dhe përcaktuesve socialë të shëndetit, me qëllim krijimin e politikave të informuara, ndërhyrjeve dhe praktikave që rrisin cilësinë e jetës së të rinjve.
Ky raport është i pari nga raportet kombëtare për hulumtimin në vitin 2021/22, në të cilin paraqiten gjetjet për dhunën ndërmjet bashkëmoshatarëve (ngacmimet në shkollë, ngacmimet kibernetike dhe përleshjet), roli i gjinisë, pabarazitë sociale dhe ndryshimet në sjelljet e lidhura me ngacmimet dhe përleshjet gjatë periudhave para dhe pas pandemisë me Kovid-19. Në këtë raport janë paraqitur edhe disa nga gjetjet lidhur me dhunën e përjetuar nga adoleshentët që kanë deklaruar se ngacmojnë të tjerët, me qëllim që të kuptohet cikli i dhunës që vazhdon të ekzistojë në familje dhe bashkësi.